NEGOCIATAT ME SHBA/ Teherani akuza Uashingtonit për kërkesa jorealiste; kryediplomati iranian: Teherani s’është gati për kontakte direkte me negociatorët amerikanë.

Kërkesat jorealiste të Shteteve të Bashkuara ulin shanset për të arritur një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane, por Teherani do të vazhdojë të marrë pjesë në negociata.

Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi, pas një takimi të zhvilluar në Moskë me homologun rus, Sergei Lavrov.

I cituar nga agjencia “RIA Novosti”, shefi i diplomacisë iraniane ka theksuar se Teherani nuk është ende gati për të pasur kontakte direkte me negociatorët amerikanë.

“Për momentin kemi vetëm negociata indirekte dhe kjo është për shkak të kërcënimeve të bëra nga qeveria amerikane, për shkak të sanksioneve ekonomike dhe presioneve maksimale të ushtruara ndaj Republikës Islamike”, ka thënë Aragçi.

Në këto kushte, ka vijuar ai, negociatat direkte janë të pamundura, por rruga diplomatike mbetet e hapur e po ashtu mundësia për një akord. Raundi i dytë i bisedimeve mes përfaqësuesve të Teheranit dhe Uashingtonit do të mbahet të shtunën në Romë, përmes të cilit do të synohet të arrihet progres i mëtejshëm.

“Dhe ky progres duhet të çojë drejt një akordi të barabartë, të ndërlidhur dhe të qëndrueshëm”, ka shtuar Aragçi.

Edhe pse kryeqyteti i Italisë do të jetë vendi ku do të mbahen negociatat e radhës, Omani mbetet ndërmjetësi zyrtar i kontestit.