Deputetët dështuan për herë të shtatë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.
Kjo gjë, e ka bllokuar Kuvendin dhe rrugën për të formuar qeverinë e re.
Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.
Ndonëse, sipas Kushtetutës së vendit, partia fituese gëzon të drejtën për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kandidatja e LVV-së nuk po arrin të marrë votat e mjaftueshme.
Kjo pasi ajo po shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.
Bazuar në zhvillimet e fundit, po bëhet thirrje që të ndërhyjë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe të ndihmojë në zhbllokimin e kësaj situate, pasi vështirë se partitë do arrijnë të bëjnë ndonjë marrëveshje politike.
Mirëpo, se sa është e nevojshme ndërhyrja e Osmanit dhe si do ndikonte ajo, folën njohësit e çështjeve kushtetuese e politike.
Bajraktari: Përfshirja e Presidentes është e nevojshme, madje e domosdoshme.
Së pari, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.

Ardian Bajraktari
Fillimisht, ai tha se Kuvendi është në një krizë të madhe dhe përgjegjësia është e subjekteve politike.
Në këtë rast, theksoi se pa u zgjedh kryetari i Kuvendit, nuk mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat po përmenden nga subjektet politike.
“Kuvendi është tashmë në krizë, për daljen nga e cila duhet konsultime në mes të subjekteve polotike të përfaqësuara në Kuvend, e përgjegjësinë më të madhe në këtë drejtim e ka subjekti fitues i zgjedhjeve.
Duke qenë se seanca konstituive e Kuvendit po dështon, e në këtë drejtim, vlen të theksohet se as në zgjedhje nuk mund të shkohet pa u zgjedhë Kryetari/ja e Kuvendit dhe nënkryetarët”, deklaroi avokati.
Krahas kësaj, ai duke parë situatën politike, kërkoi që të përfshihet presidentja dhe të gjendet një rrugëdalje nga ky ngërç i krijuar.
“Andaj, kur dëgjohen pozicionet e subjekteve politike, për dalje nga kjo situatë, përfshirja e Presidentes është e nevojshme, madje e domosdoshme.
Një gjë e tillë e ka të përcaktuar edhe me Kushtetutë, ngase është kompetencë e Presidentit/es, me garantu funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë”, përfundoi Ardian Bajraktari për “Bota sot”.
Maraja: Presidentja e Kosovës duhet të vë në shërbim ndikimin sipas detyrës zyrtare për të tejkaluar këtë situatë së më parë
Kurse, analisti politik, Milazim Maraj kritikoi ashpër partitë politike dhe ngërçin që kanë krijuar me qëndrimet e tyre, të cilat vlerëson se janë më shumë inatçore, sesa parimore.
Sipas tij, me këtë qasje vështirë të pritet se do ketë sukses puna në Kuvend.

Milazim Maraj
“Dje Kuvendi i Kosovës provoi dështimin e radhës që është dështimi i shtatë. Një ngërç shumë jo parimor dhe me mjaft pasoja për shtetin e Kosovës po vazhdon për shtatë seanca. Në deklarimet e partive politike nuk ka asnjë arsye substanciale që bëhet për të mirën e vendit. Në këto deklarime shihet që sjelljet e opozitës janë një hakmarrje për sjelljet e Albin Kurtit gjatë kohës kur ishte në opozitë dhe në pushtet. Njëkohësisht sjellja e tij hiç bashkëpunuese për katër vite që ishte në pushtet nuk la hapësirë për mirëkuptim dhe bashkëpunim të nevojshëm për zhvillimin e Kosovës. Cilado rrugë pa një ulje të tensionit në mes të deputetëve shqiptarë të zgjedhur nuk tregon një shpresë për suksese në punën e Kuvendit të Kosovës dhe edhe më pak të Qeverisë së re”.
Krahas kësaj, tha se deputetët nuk u votuan për të bllokuar institucionet, derisa gjendja e krijuar ia dëmton edhe imazhin shtetit, ku vënë në pah mungesën e një kulture bashkëpunuese.
“Këta deputetë nuk u zgjodhën të provojnë kondicionin e tyre për të mbajte inatin dhe injorancën në mes veti, ndërsa fatkeqësisht këtë po e bëjnë. Deputetët diçka tjetër premtuan në zgjedhje. Deklarata e deputetit të LVV Hekuran Murati se LVV, nuk është fajtore, madje shpjegimi i tij tepërt demagogjik nuk ndihmon fare në dalje nga kjo situatë. Pritja se ja diçka paska ndryshuar në drejtim pozitiv nga se tani ka ndryshuar numri i votave kundër, tani ato janë abstenime, është sa qesharake aq për dhimbje kur kështu flet e vlerëson i zgjedhuri i popullit nga i cili pritet…. Kjo gjendje po dëmton pa masë imazhin e shtetit të Kosovës. Kush do të dëshironte që të pranoj Kosovën në institucionet ndërkombëtare me një kulturë të tillë bashkëpunuese, pa vizion, pa mirëkuptim, pa aftësi për të dalë nga kriza por që krijon kriza vetës. Kosova po vazhdon të humbas vazhdimisht për shkak të kësaj rruge të gabuar, pa tolerancë, besim të ndërsjellë dhe pa kulturë bashkëpunuese”, shpjegoi ai.
Në fund, edhe analisti kërkoi përfshirjen e presidentes në këtë rast, duke mos lënë hapësirë që të reagojë dikush nga jashtë për këtë gjë.
Ai tha se e gjithë skena politike duhet të gjejnë së bashku zgjidhje dhe të tregohen tolerant dhe bashkëpunuese.
“Presidentja e Kosovës duhet të vë në shërbim ndikimin sipas detyrës zyrtare për të tejkaluar këtë situatë së më parë. Do të ishte mëkat sikur të angazhohej dikush tjetër jashtë institucioneve tona për të pajtuar shqiptarët në mes veti. Nga dy anët duhet të mbretëroj toleranca dhe forca e arsyes, të zgjidhet më e mira e mundshme dhe të ecët përpara në këtë mjegullnajë gjeopolitike. Askush nuk mundet vetëm, as LVV. Nuk ka kuptim të kërkohet bashkëpunim dhe aleancë jashtë vendit kur këtë nuk e ke brenda shtetit tënd, madje brenda kombit tënd. Këso situata me katastrofa shqiptarët kanë provuar mjaftë gjatë historisë. Këto gabime i kemi la me gjak, me shumë humbje në njerëz dhe territore. Rruga e vetme është toleranca në mes veti, bashkëpunimi plural dhe mirëkuptimi njerëzor. Kjo situatë që mbretëron tani në Kosovë prodhon fatkeqësi kolektive për shqiptarët dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë. Andaj ju lutemi thirrni ndihmë arsyen!” – përmbylli Milazim Maraj për “Bota sot”.









