KESHILLTARI I TRUMP/ Si në hapjen e fushatës, LaCivita i bie shkurt edhe në Pallatin e Kongreseve: Berisha ka program të mirëfilltë konservator si Trump

Konsulenti amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, i cili ka marrë pjesë në prezantimin e programit elektoral të PD në Pallatin e Kongreseve, bëri thirrje për votë për Berishën i cili sipas tij ka një program të mirëfilltë konservator si Regan dhe Trump.

LaCivita tha se 12 vitet e qeverisjes nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, kanë qenë dështim i vërtetë për Shqipërinë.

“Të gjithë e dimë se 12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i plotë dhe i madh.  Një dështim në drejtimin e qëndrueshëm dhe një dështim për familjet shqiptare.

Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump.

Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi.

Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet”, tha LaCivita.