INTERVISTA/ “Arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe drejtësia”, Oriola Pampuri: Pikat kyçe të Koalicionit Euroatlantik

Deputetja Oriola Pampuri, pjesë e Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, ka folur lidhur me pikat kyçe që përmban programi i tyre politik.

Pampuri u shpreh se arsimi, taksa e sheshtë, shëndetësia, ekonomia dhe drejtësia janë disa prej pikave kyçe të programit të Koalicionit Euroatlantik.

“Ka pasur një interes të jashtëzakonshëm sa i përket pikave të rëndësishme të programit. Jemi përballë një situate ku po mbyllen qindra biznese të mesme e të vogla. Shumë shqiptarë kanë lënë vendin përgjatë këtyre vendeve për shkak të papunësisë, meritokracisë.

Ligji i Arsimit të Lartë ka lënë shumë për të dëshiruar dhe ka pasur debate të mëdha. Mungesa e financimeve, e kërkimit shkencor, mungesa e një buxheti të posaçëm për universitetet.

Taksa e sheshtë 9%, taksa e fitimit 9%, taksa mbi fitimin e biznesit 9%, taksë që sot është shumë e lartë dhe detyron bizneset të mbyllen. 30 mijë çifte të reja të cilat do kenë mundësinë të marrin kredi që do i ndihmonte te kishin një banesë ku të jetonin. Bonusi për 20 mijë euro për fëmijën e tretë.

Kur themi ushqimi, studimi në shkolla. Por sa punësim nxit kjo? Nxit punësimin e nënave, nëse shkolla ofron ushqim e studim deri në 16:00 pasdite, me një përllogaritje prej 7500 personash do punësohen më shumë”,tha Pampuri.

Ajo theksoi se ndryshimi mes koalicionit në të cilën bën pjesë dhe forcave të tjera politike, qëndron pikërisht të programi, për të cilin u shpreh se do të jetë 100% i implementueshëm që në ditën e parë të qeverisjes nëse fitohen zgjedhjet e 11 majit.

Pampuri theksoi se pikë thelbësore e programit elektoral të Koalicionit Euroatlantik është fundi i pandëshkueshmërisë dhe mbështetja pa kushte ndaj SPAK.

“Ajo që bën ndryshimin mes një pjese që thotë se qasja e programit është e njëjtë, ky program është studiuar nga ekspertë të fushave përkatëse dhe është përllogaritur çdo qindarkë që të mos jetë thjesht premtim elektoral, por 100% i implementueshëm që ditën e parë të qeverisjes.

Ajo që ndryshon mes programeve të forcave të tjera, është pikërisht raporti me drejtësinë e re, fundi i pandëshkueshmërisë është pika thelbësore e programit tonë. Mbështetje e jashtëzakonshme për drejtësinë e re, mbështetje për SPAK. Me vepra e kemi treguar.

Kemi 34 vite në tranzicion. SPAK ka bërë atë që çdo shqiptarë nuk do e kishte imgjinuar, Janë prekur të paprekshmit dhe shqiptarët e shohin si institucionin më shpresëdhënës.

Problematikat sfumohen para asaj që ka bërë SPAK. Një shtet ka shpresë kur ndërtohet mbi të drejtën e pacenueshme. Fundi i pandëshkueshmërisë do ketë një fillim të ri për shqiptarët”, u shpreh deputetja për “RTSH”.