Sekuestrimi i celularëve është një metodë që ka alarmuar politikën. Pjesa dërrmuese e ministrave, deputetëve dhe funksionarëve kanë asgjësuar telefonat e vjetër…
SPAK ka futur në panik politikën. Përveç përgjimeve, prokurorët po përdorin një metodë tjetër shumë efektive në zbulimin e aferave, atë të sekuestrimit të telefonave.
Agjentët e BKH kanë bërë vizita blic në shumë ministri, drejtori e institucione dhe shumë drejtorëve e funksionarëve u janë sekuestruar celularët, kompjuterët apo pajisje të tjera dixhitale.
Në raportin vjetor për vitin që lamë pas të SPAK, jepen detaje mbi këtë metodë hetimi. Sipas SPAK, janë sekuestruar në total 553 telefona celularë dhe aty janë gjetur mesazhe, foto e prova të tjera kompromentuese. Po ashtu janë sekuestruar kompjutera, DVD dhe pajisje të tjera dixhitale.
“Gjatë vitit 2024 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 400 vendime ekspertimi për 841 prova dixhitale dhe konkretisht për 553 telefona celularë dhe tabletë, 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 prova të tjera dixhitale (hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj)”, thuhet në raport.
Sekuestrimi i telefonave është një metodë që ka alarmuar politikën. Pjesa dërrmuese e ministrave, deputetëve dhe funksionarëve kanë asgjësuar telefonat e vjetër. Po ashtu të gjithë po përdorin aplikacione me shkallë të lartë sigurie. Duhet të theksojmë se BKH i sekuestroi 6 telefona Monika Kryemadhit dhe falë tyre u gjetën prova të forta që çuan pas hekurave Ilir Metën.
Pjesë nga raporti i SPAK:
Gjatë vitit 2024, Sektori i Ekspertizës ka mundësuar dhe ofrimin e shërbimit të ekspertizës në fushën ekonomiko-financiare, nëpërmjet Ekspertit të kësaj fushe duke realizuar 2 Akte Ekspertimi, nga të cilat një në fushën e procedimit penal dhe një në fushën e procedimit pasuror me objekt analize ekonomiko-financiare për individët, personat e lidhur dhe subjektet tregtare pjesë e hetimit. Në përmbushje të detyrave funksionale, eksperti i fushës ka dhënë asistencën në fushën financiare në ndihmë të identifikimit të pastrimit i të ardhurave nga korrupsioni, i krimeve në fushën e tatimeve, apo vepra të tjera penale të kryera përmes përdorimit herë pas here dhe të palëve të treta (individë dhe persona juridik), që shërbejnë për të kamufluar mekanizmin dhe integrimin e mëvonshëm në instrumente financiare, në pasuri të paluajtshme brenda vendit, apo në biznese brenda dhe jashtë vendit.
Për periudhën vijuese mbetet prioritet përgatitja e udhëzuesit praktik dhe manualit mbi procedurat dhe kërkesat standarde lidhur me ekspertimin ekonomiko -financiar.
Shërbimet në fushën elektronike-dixhitale nga sektori i ekspertizës
Gjatë vitit 2024 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 400 vendime ekspertimi për 841 prova digjitale dhe konkretisht për 553 telefona celularë dhe tabletë, 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.), kjo krahasuar me vitet si me poshtë është në rritje dhe konkretisht:
Për vitin 2023 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 345 vendime ekspertimi për 623 prova në total dhe konkretisht 407 telefona celularë, 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 prova të tjera digjitale (USB, karta memorie, CD/DVD, etj.).
Për vitin 2022 kanë ardhur për ekspertim 240 vendime ekspertimi për 500 prova digjitale dhe konkretisht 328 telefona celularë, 59 kompjutera, 11 DVR dhe 102 prova të tjera digjitale (USB, karta memorie, CD/DVD, etj.).
Akte ekspertimi të realizuara:
Gjatë vitit 2024 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 293 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar 520 prova digjitale në total dhe konkretisht 344 telefona celularë, 58 kompjutera, 2 DVR dhe 116 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.).
Gjatë vitit 2023 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 261 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar 453 prova digjitale në total dhe konkretisht 321 telefona celularë, 37 kompjutera, 20 DVR dhe 75 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.).
Për vitin 2022 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 256 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar gjithsej 423 prova digjitale dhe konkretisht 313 telefona celularë, 40 kompjutera, 7 DVR dhe 63 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.).
Sa i përket vitit 2021, në këtë vit Sektori i Ekspertizës ka filluar aktivitetin e tij, ku vendimet e para të ekspertimit kanë filluar të pranohen në muajin Shtator.
Për periudhën Shtator-Dhjetor 2021 kanë ardhur për ekspertim pranë këtij sektori 118 vendime ekspertimi për 174 telefona celularë, 50 kompjutera dhe 49 prova të tjera elektronike (DVR, USB, CD/DVD, kamera/aparate fotografike digjitale, etj.).
Gjatë periudhës Shtator-Dhjetor 2021 janë realizuar 35 akte ekspertimi.
Për vitin 2024 janë realizuar 32 akte ekspertimi më shumë se viti 2023, si dhe janë ekzaminuar 67 prova digjitale më shumë.









