Policia njoftoi mëngjesin e kësaj të hëne se dy shtetas shqiptarë janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Gjermania dhe Italia.
Njëri prej të ekstraduarve ka qenë Ilia Ndoka, 50-vjeçari i cili u arrestua në maj të vitit të kaluar në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Ndoka ishte pjesë e listës së urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai ra në prangat e policisë italiane në 22 maj të vitit 2024. Ndoka ka qenë pjesë e grupit kriminal të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, ndërsa akuzohet për pastrim parash si pjesë e këtij rrjeti.

Ilia Ndoka
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një megaoperacion në datën 17 maj të vitit 2024, për të goditur disa grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në vrasje apo trafikim të lëndëve narkotike, të shpërndarë në disa nga qytetet kryesore të vendit.
Gjatë këtij operacioni u lëshuan 50 urdhër-arreste, ndërsa u sekuestruan edhe pasuri që arrinin vlerën e 4.5 milionë eurove.
“Gjithashtu po si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në drejtimin e Drejtorisë së Interpolit, u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar I. N., 50 vjeç.
Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, njoftoi Policia mëngjesin e kësaj të hëne.









