CHAMPIONS LEAGUE/ Sot zbresin në fushë Barcelona dhe PSG

Katër skuadra të tjera zbresin në fushë sonte për fazën çerekfinale të Champions, ku Barcelona përballet në shtëpi me Dortmund dhe PSG me anglezët e Aston Villa.

Te Barcelona janë të sigurt dhe besimplotë se ky është sezoni i tyre, dhe do të provojnë me çdo kusht të triumfojnë në çdo garë, mes tyre dhe Champions, ndërsa në mbrëmje përballen me murin e verdhë të Dortmund. Blaugranët janë favoritë absolutë për fitimin e përballjes, por dhe për kalimin në fazën tjetër. Dortmund është një kundërshtar i njohur për Flick, pasi dy skuadrat janë përballur edhe më herët në këtë sezon të Champions, ku spanjollët fituan në shifrat 3-1.

Miqtë nga Gjermania kanë 6 mungesa, por te blaugranët situata është më pozitive, pavarësisht se mungojnë Olmo e Casado, pa përmendur këtu portierin Ter Stegen që prej javësh nuk është në dispozicion. Në 3 duelet e fundit mes tyre në Champions, Barcelona ka 2 fitore, ndërsa njëra prej sfidave është mbyllur në barazim.

Në të njëjtën kohë, sytë e tifozëve janë në Parkun e Princave, aty ku yjet e Luis Enrique presin britanikët e Aston Villa. Kjo është hera e parë që këto dy skuadra përballen me njëra-tjetrën, dhe do të hapin një faqe të re për duelet direkte, e secila do ta nisë mbarë. Parizienëve u mungon kapiteni Marquinhos, ndërsa te miqtë janë të konfirmuar Malen, por edhe Barkley e Bailey janë në dyshim. Favoritë kryesorë mbeten francezët, të cilët këtë sezon eliminuan një ndër pretendentët kryesorë, Liverpool, teksa pritet që ndaj Aston Villa, llogaritë të mos jenë aq të thjeshta.