AKUZA TE RENDA/ Berisha denoncoi ambasadorin amerikan nga Strasburgu: Ndihmoi Ramën në instalimin e narkoshtetit….(VIDEO)

Sali Berisha i cili ndodhet në Strasburg, pasditen e kësaj të hëne ka marrë pjesë në një mbledhje me grupin konservator në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku gjatë fjalës së tij ka hedhur akuza të forta ndaj SHBA. Ai ka deklaruar se ambasadori amerikan, (Donald Lu), e ka ndihmuar Edi Ramën që të instalojë narko-shtetin në Shqipëri.

Gjatë denoncimeve të tij, Berisha sulmoi edhe drejtësinë dhe burgosjet politike. Sipas Berishës, Rama synon mandatin e katërt dhe për këtë qëllim ka burgosur tre lidera të opozitës, duke iu referuar arrestit me burg ndaj Ilir Metës, arrestit në shtëpi ndaj tij dhe hetimet ndaj Mediut. Po ashtu, Berisha i ka konsideruar si burgosje me qëllime politike edhe arrestimin e Ervin Salianjit dhe Fredi Belerit.

Sali Berisha: Dua të ju falënderoj nga zemra ime për këtë nder të madh që më keni bërë, të ju prezantoj në këtë seancë, situatën aktuale në Shqipëri. Kam qenë këtu më shumë se në çdo institucion tjetër. Kam ardhur si presidenti i vendit. Kam ardhur si lideri i opozitës, për 8 vite me radhë. Kam ardhur si kryeministër. Por sot pothuajse në 30 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, fatkeqësisht vendi im është i pari dhe i vetmi shtet narkodikatur në Shqipëri.

Shqipëria në këtë 30 vjetor është një vend i cili para zgjedhjeve, kryeministri synon mandatin e 4-të, duke arrestuar tre liderët kryesorë të opozitës shqiptare. Më arrestoi mua për 330 ditë pa asnjë fakt penale. Ata më akuzuan për korrupsion pasiv dhe për një faturë për një javë pushime për arsye shëndetësore. Dhëndëri im për 440 ditë ndodhet në ‘arrest shtëpie’ për një pronë prej 110 metrash që i është lënë trashëgim nga gjyshërit e tij, çdo gjë e dokumentuar me dokumente zyrtare që i përket familjarëve të tij. Lideri tjetër i partisë së dytë opozita, ish-presidenti, ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, ndërsa po hynte në Tiranë u arrestua në mënyrë brutale, duke u tërhequr zvarrë nga makina dhe pa ju treguar dokumentet identifikuese. Edhe pse është person nën hetim, ai gjendet në burg, edhe pse nuk ka akuzë ndaj tij. Lideri i tretë i partisë tjetër opozitare është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes gjatë kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe po gjykohet për një çështje që është mbyllur 15 vite më parë pa asnjë fakt konkret. Gjithashtu edhe Fredi Beleri, deputet i parlamentit Europian u fut në burg pasi, Edi Rama kërkonte të merrte mijëra metra katrorë tokë pranë detit. Gjithashtu Ervin Salianji, një tjetër deputet u arrestua sepse denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, pasi ishte dënuar në Itali, për arsye se drejtonte trafikun e drogës nga Vlora.