Tensione, përplasje dhe mijëra qytetarë nëpër rrugët e Stambollit. Kështu paraqitet situata në Turqi pas arrestimit të Ekrem Imamoglu.
Turqit i janë përgjigjur me protesta vendimit të sotëm të Gjykatës turke e cila la në fuqi masën “arrest me burg” për Imamoglu.
Qytetarët nuk po kursehen për të treguar mbështetjen e tyre ndaj kryebashkiakut të Stambollit (tani i shkarkuar). Përpos protestave nëpër rrugë ata e treguan këtë dhe me votën e tyre.
Pamje nga protestat ne Stamboll
Lajmi se 15 milionë turq morën pjesë në zgjedhjet e brendshme partiake nuk kaloi pa u vënë re nga Ekrem Imamoglu , i cili në një deklaratë nga burgu foli për një shuplakë kumbuese në fytyrën e Erdoganit dhe qeverisë së tij.
“Dëshiroj të ndaj me ju një lajm nga burgu i Silivrit që më gëzon shumë. Pati pjesëmarrje rekord në zgjedhjet presidenciale të Partisë sonë Republikane Popullore . 15 milionë qytetarë votuan. Dhjetëra miliona njerëz në këtë vend, të lënduar nga tirania e qeverisë, ekonomia e rrënuar, meritokracia dhe paligjshmëria, vrapuan drejt votimit”, theksoi İmamoglu.
Gjithashtu ai nuk qëndroi pa u dërguar një mesazh të ri mijëra turqëve që sfiduan ndalimin e tubimeve dhe dolën në rrugë.
“I dërgoj përshëndetjet e mia miliona njerëzve që bërtitën sonte në Saraçhane dhe në sheshe anembanë vendit. Kombi do ta godasë këtë qeveri me një shuplakë që nuk do ta harrojë kurrë”, tha ai.
Vlen të theksohet se mesazhi i Imamoglut erdhi në një kohë kur mijëra njerëz kanë “zbarkuar” në rrugët e Stambollit. Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se protestat kanë vijuar edhe gjatë mbrëmjes të kësaj të diele.
Nuk kanë munguar as përleshjet me efektivët e policisë, ku këta të fundit nuk kanë kursyer as gazin lotsjellës dhe granatat trullosëse.
Ndërkohë, më herët kryebashkiaku i Ankarsë, Mansur Yavas, pas përfundimit të votimit të brendshëm partiak në Partinë Popullore Republikane (CHP), deklaroi se rreth 20 milionë njerëz shkuan në një qendër votimi për të votuar në favor të emërimit të vendit për president të Imamoglu.
“Mendoj se rreth 20 milionë njerëz shkuan në një qendër votimi ku nuk u kërkua të shkonin dhe votuan sot. Koha për zgjedhje të parakohshme tashmë ka kaluar,” tha Mansur Yavas.









