Në media ka qarkulluar një mesazh-tërheqje vëmendjeje i Kryeministrit Rama ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, i njohur si një mbështetës i linjës “Veliaj” brenda Partisë Socialiste. Ky mesazh u referua deklaratave publike kritikuese të Xhafaj ndaj SPAK dhe në mbrojtje të Kryebashkiakut të arrestuar, njëherazi Drejtues politik për Tiranën.
Ky mesazh i Ramës, referuar drejtpërdrejtë deputetit Xhafaj mund të interpretohet si një mesazh i koduar i Ramës për vetë Veliajn, mbi të ardhmen në dyshim të njerëzve politikë pranë tij dhe si një sinjal “tërheqjeje veshi” ndaj sulmeve të vazhdueshme publike të Kryebashkiakut në qeli ndaj SPAK dhe posaçërisht prokurorit të çështjes, Olsi Dado.
Më poshtë mesazhi i Ramës drejtuar deputetëve socialistë të Tiranës duke iu referuar Xhafajt;
“Jam pa fjalë! E paimagjinueshme se si një deputet i Partisë Socialiste mund të flasë si në kafene, si tifoz, duke bërë një avokati banale që për më tepër s’ndihmon askënd hiç fare, ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë parimor për paraburgimin pa gjyq të kryebashkiakut të kryeqytetit! A është i pafajshëm a i fajshëm Erioni apo kushdo tjetër, këtë s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, që ta thotë në mexhelis”
Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme, nuk janë as me kohë e pa kohë, as pune e kujt t’i teket nga deputetët ose përfaqësuesit e tjerë të PS! Kështu që fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjëkundi muhabeti i kafenesë për drejtësinë”.
Rama i kërkon Elisa Spiropalit ta përcjellë këtë mesazh edhe tek grupi i deputetë të qarqeve të tjera të vendit.









