Ish-kryeministri Sali Berisha ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, e cila është në fuqi ndaj tij që prej 3 janarit me vendim të gjyqtarit Engert Pëllumbi.
Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndryshoi vendimin e shkallës së parë, e cila kishte revokuar masën e sigurisë, duke vendosur që Berisha të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit.
Ish-kryeministri u paraqit për herë të fundit në SPAK më 3 mars, në përputhje me vendimin e gjykatës. Përmes rekursit në Gjykatën e Lartë, Berisha synon të kundërshtojë këtë masë sigurie, duke kërkuar një rishqyrtim të vendimit.
Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim.
Që nga dhjetori i vitit 2023, ish-kryeministri Sali Berisha është nën hetim për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ndërkohë, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në “arrest shtëpiak”, akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”.









