Një mbrëmje e ethshme plot tensione, kënaqësi por edhe hatërmbetje ka qenë ajo e së mërkurës në të dyja kampet politike.
Listat e hapura dhe ato të mbyllura “futën përçarje” mes kolegëve, ku disa prej tyre nuk qëndruan pa shprehur hapur as zhgënjimin që ndjenin, duke dhënë dorëheqjen, por edhe duke iu bashkuar “armikut”.
Siç ishte dhe rasti i demokratit Dashnor Sula. Ky i fundit pasi u la jashtë “të sigurtëve” nga Berisha vendosi që t’i bashkohej Adriatik Lapajt në Elbasan me “Nismën Shqipëria Bëhet” si kandidat për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Pakënaqësi nuk pati vetëm nga demokratët, por edhe nga socialistët. Figura të vjetra si Nasip Naço, Petro Koçi apo dhe Laert Duraj vendosën të tërhiqen nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit pasi Kryesia e Partisë Socialiste nuk i futi në lista e mbyllura.
Por, ndryshe nga kolegët e tij dhe shumë ndryshe nga dy ditë më parë ku në revoltë e sipër në atë që ai e quajti “hera e fundit” deklaroi dhe votën në parlament kundër qeverisë, Erion Braçe ndonëse u hodh në listë të hapur e ka marrë me optimizëm dhe vendosmëri për të bërë atë që ai do.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, socialisti veteran ka postuar një foto të tij krah së cilës shkruan: “Ka gjithmonë kohë për të bërë gjërat që do, mjafton liria!”.
Theksojmë se ky është reagimi i parë i Erion Braçes pasi kryesocialisti Edi Rama e la në “listat e hapura”.









