Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i ka thënë Parlamentit britanik të hënën se angazhimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për paqen në Ukrainë është i sinqertë.
“SHBA-ja është jetike për sigurimin e paqes dhe Britania do të luajë një rol udhëheqës në arritjen e saj”, ka thënë Starmer, raporton BBC.
“Unë mirëpres gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm të presidentit për këtë paqe, për të cilën askush në këtë Dhomë nuk duhet të dyshojë për një sekondë se është e sinqertë”, është shprehur Starmer.
Deklaratat e tij vijnë pasi ai njoftoi një plan me katër pika për të punuar me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës dhe për të mbrojtur vendin nga Rusia.
Kryeministri britanik ka thënë po ashtu se është e rëndësishme për Evropën që t’i evitojë gabimet e së kaluarës në raport me Rusinë.









