PREMTIMI/ “Dritarja mund të mbyllet”, Rama: Me mandatin e 4 mbyllim negociatat me BE në 2027

Në takimin e kësaj të hënë me grupin parlamentar të Partisë socialiste, kryeministri Edi Rama tha se në këto zgjedhje nuk duhet humbur asnjë ditë në mënyrë që Shqipëria të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian, tashmë që sipas tij interesat e Shqipërisë dhe të BE-së janë përputhur.

Ai tha se 11 maji duhet të jetë vula që i jep mandatin e katërt Partisë Socialiste në mënyrë që negociatat me BE-në të mbyllen në 2027.

“Kur ne erdhëm ishim vrima e fundit e kavallit, tani të tjerët janë pas nesh. Tani jemi krah për krah me Malin e Zi, dy vendet që mund të futen në BE dhe kalendari që na kanë dhënë është që të mbyllen negociatat në 2027. Ndërkohë që ne flasim sot, në këtë orë janë rreth 1000 persona të angazhuar në shtetin shqiptar dhe që punojnë përditë për Bashkimin Europian. Për të mos lëvizur me asnjë ditë procesin e punës së kësaj armate njerëzish, 11 maji duhet të jetë vetëm vula e vullnetit popullor, për ti dhënë mandatin e katërt partisë Socialiste, që të mos kemi më asnjë ditë të humbur, pasi nëse ne humbasim muaj, dritarja do të mbyllet. Nëse ajo dritare mbyllet ne nuk e dimë kur do të mund të hapet prap, kur mund të përputhen sërish interesat. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian sot është më shumë se asnjëherë në gjithë këto vite një çështje ekzistenciale”,-tha Rama