Komisioni i Disiplinës ka vendosur të ndëshkojë me 1 vit përjashtim nga aktivitetet sportive, Koço Kokëdhimën, për sulmin që i bëri arbitrit të ndeshjes në kampionatin e femrave mes Apolonisë dhe Gramshit. Ndërkohë që skuadra e Apolonisë për femra është gjobitur me 2 qind mijë lekë.
Gjithashtu me një vit është pezulluar edhe zyrtari tjetër i Apolonisë Kiri Mundija, të cilit nuk do t’i lejohet prania në stadium ose në dhomat e zhveshjes deri në përfundim të dënimit. Zyrtari tjetër i Apolonis, Maringlen Kule është dënuar me 8 ndeshje pezullim.
“FK Apolonia Femra, për mos marrjen e masave të nevojshme për rendin dhe sigurinë në ndeshje duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 8, 17/1 dhe 17/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/d të KDE, gjoba të aplikohet në masën 5%.
Zyrtari i FK Apolonia Femra, Maringlen Kule, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i FK Apolonia, Koço Kokëdhima, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 1 (një) vit pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
Zyrtari i FK Apolonia, Kiri Mundija, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 1 (një) vit pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit”, njofton ndër të tjera Komisioni i Etikës.









