Lotar Mateus ka aprovuar zgjedhjen e Julian Nagelsmanit për të përfshirë Jan Bisekun për herë të parë në listën e kombëtares gjermane.
“Grumbullimi është i merituar. Ai është një nga mbrojtësit qendrorë më të mirë në kampionatin italian. Është lojtar i ri dhe dinamik. Për të luajtur në mbrojtjen e Interit duhet të kesh diçka të jashtëzakonshme. Më ka bërë përshtypje rritja e tij”, ka thënë Mateus.
Ai gjithashtu ka folur për sfidën mes Bajernit dhe Interit.
“Po pres me padurim momentin për ta parë këtë ndeshje. Sigurisht që për mua është shumë speciale. Të dyja skuadrat janë kryesuese në kampionatet respektive dhe kualiteti është i dukshëm. Për mua, Interi është skuadra më e qëndrueshme në Itali në 4 vitet e fundit. Janë shumë konstantë dhe të disiplinuar në fushën e lojës. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe me spektakël. Shpresoj që të kalojë ekipi më i mirë, sepse nuk më takon që të bëj parashikime. Champions-i është futur në një fazë të rëndësishme dhe tani nuk falen hapat e gabuar”, ka thënë Mateus.









