Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi sot disa takime me qytetarët e Tiranës, duke nisur nga njësia 8, aty ku është rritur, dhe më pas në zonën e Medresesë, ku bisedoi me banorë dhe sipërmarrës për vizionin dhe zgjidhjet konkrete që ofron programi i Koalicionit për zgjedhjet e 11 majit.
Në njësinë 8, Basha shoqëroi kandidatin për deputet Pëllumb Seferi në një bisedë miqësore me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e listave të hapura në këto zgjedhje, ku janë qytetarët ata që do të vendosin se kush i përfaqëson në Parlament.
“Mirëmëngjes nga zemra e Tiranës, me kandidatin tonë Pëllumb Seferi! Ju urojmë një ditë të mbarë!” – shkroi ai në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, ai vuri në dukje se problemi kryesor në Shqipëri nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e një qeverisjeje që mendon për qytetarët.












