SULMI NDAJ SPAK/ Erion Veliaj i drejtohet Ols Dados nga qelia: Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në SPAK shokët. “Jam i burgosur por jo i pandehur”

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar përsëri nga qelia e paraburgimit në Durrës, ndërsa dhe njëherë tjetër i është kundërvënë prokurorit Ols Dado duke parashtruar sqarime mbi faktet e përpiluara në dosjen hetimore të SPAK.

Veliaj ka deklaruar se një tjetër shtëpi është zbuluar nga Dado nga tabulatet telefonike të kryebashkiakut që ka lëshuar sinjal 87 herë në zonën e Kavajës përgjatë periudhës prill-maj 2023. Sipas Veliajt, në atë ai ka drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë si dhe fushatën e anatarësimeve të reja në PS.

Erion Veliaj vijon të sulmojë Ols Dadon teksa i referohet si “Ols Violina” ndërsa hetimet e SPAK i cilëson si një orkestrim të tij. Kryebashkiaku thotë se i është dhënë statusi si i burgosur, por ende nuk është marrë si i pandehur nga drejtësia, si dhe nuk ndal akuzat ndaj Dados duke thënë se është punësuar në SPAK nga miq të tij.

Përshëndetje të dashur miq,

Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.

Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia.

Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.

Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.

Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë.

Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar.

Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij.

Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët – pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.

Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës.

Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!”, shkruan Erion Veliaj.