Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e 100% të votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
– Advertisement –
Sipas rezultateve të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 40.80% të votave, duke siguruar 342,281 vota nga gjithsej 2,533 vendvotime brenda vendit.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03% të votave, ose 184,811 vota ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, ka siguruar 17.63% të votave, që përkthehet në 147,888 vota në total.
Koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët ka arritur të sigurojë 7.46% të votave, ose 62,588 vota gjithsej.
Pavarësisht rezultateve të deritanishme, përqindja e subjekteve politike mund të ndryshojë pasi të numërohen votat me kusht dhe ato nga jashtë vendit.
Ky proces do të nisë pas përfundimit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë.










