KERCENIMI/ Shpallet në kërkim Arben Isufi, i njohur si “Ben Qimja” pasi kërcënoi me jetë gjyqtarin

Policia e Fierit ka shpallur në kërkim shtetasin Arben Isufi, 55 vjeç, i njohur si “Ben Qimja”, pasi dyshohet se ka kërcënuar me jetë gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Vladimir Cjapi.

Në kuadër të hetimeve, Gjykata e Fierit ka lëshuar një urdhër për kontrollin e banesave dhe ambienteve në pronësi të të dyshuarit. Gjatë operacionit, i cili është zhvilluar në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, janë sekuestruar:

  • Një armë zjarri pistoletë
  • Një palë targa të huaja
  • Një jelek multifunksional, i ngjashëm me ato të Policisë
  • Dy pajisje DVR
  • Gjashtë aparate celularë
  • Dokumente zyrtare

Policia bën me dije se ka shoqëruar disa persona, ndërkohë që po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e Arben Isufit.

Ndaj 55-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Kanosje ndaj gjyqtarit” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme.