GREVA E DOGANOREVE/ Në Doganën Greke të Mavromatit më datë 28 Shkurt pritet të ketë kufizime në kalimet kufitare

Një grevë e paralajmëruar në Doganën Greke të Mavromatit ku do të bllokojë lëvizjen e mjeteve më 28 shkurt, sipas burimeve nga policia kufitare shqiptare në Qafë Botë.

Greva, e cila është organizuar pas aksidentit tragjik në Tempi ku humbën jetën 57 persona, do të fillojë në orën 08:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00, sipas orës greke.

Sipas informacioneve të fundit, përveç ambulancave dhe makinave funerale, asnjë mjet tjetër nuk do të lejohet të kalojë në pikën e kalimit kufitar. Kjo do të thotë që mjetet do të mbeten të bllokuara, por qytetarët që do të kalojnë me këmbë nga pika shqiptare e Qafë Botës drejt asaj greke të Mavromatit, pas kontrollit të dokumentacionit, do të lejohen të vazhdojnë udhëtimin me këmbë.

Ky kufizim nga pala greke pritet të ndikojë ndjeshëm në trafikun kufitar dhe të shkaktojë shqetësime midis udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që mbështeten në kalimet kufitare për zhvillimin e tregtisë mes dy vendeve.