Kryeministri Rama do të mbledhë sot në orën 16:30 në Sheshin Skënderbej punonjësit e bashkisë Tiranë.
Pritet që në këtë takim të marrin pjesë rreth 6 mijë punonjës përfshirë edhe drejtoritë në varësi të bashkisë.
Ndërsa në orën 17:30 do të zhvillojë një takim me këshilltarët e majte në bashkinë e Tiranës.
Më herët, kryeministri Edi Rama në rubrikën Sy më sy në Facebook, foli edhe për punën e SPAK.
“Profesionalen duhet ta konsolidojmë. Ka gjëra negative, por edhe gjëra pozitive. Kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional është e tepruar.
Nuk mund të hetohet me metoda të Sigurimit të Shtetit, synojmë të kemi drejtësi të pavarur dhe të standardeve europiane. Unë uroj të jetë një lajthitje e momentit dhe të ndalet survejimi në territor.
Nuk mund të kthehemi në kohë të errëta, sa kush merret me politikë të survejohet. Drejtësia duhet mbështetur fuqimisht, që të bëjë punën e vet.
Secili është në punën e vet, ne kemi punën tonë dhe nuk duhet të ndërhyjmë tek njëri-tjetri. Por, duhet të luftojmë të gjithë për drejtësi profesionale”, tha Rama.









