ANTIKONTRABANDA/ Arrestohet 48-vjeçari. Po transportonte 495 steka me cigare kontrabandë nga Greqia

Një 48-vjeçar është arrestuar në rrugën “Pogradec – Qafë Thanë”, pasi u kap duke transportuar me automjet, 495 steka me cigare, pa pullë fiskale, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Greqia.

Sipas njoftimit të policisë 48-vjeçari është me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe të kontrabandës.

Gjithashtu policia ka njoftuar se ka sekuestruar stekat me cigare, automjetin dhe 2 celularë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Smoking kills”, për goditjen e një rasti në këtë fushë.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Pogradec – Qafë Thanë”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. H. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur 495 steka me paketa me cigare, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit”,-thuhet në njoftimin e policisë.