ZYRTARE/ PS dërgon në SPAK dosjen ndaj Shehajt – Kërkon 60 ditë përjashtim

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Kryetarit të Kuvendit dhe Sekretariatit të Etikës, ku kërkon përjashtimin e deputetit Agron Shehaj nga aktiviteti parlamentar për 60 ditë, si edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Sipas mazhorancës, kërkesa vjen pas incidentit të ndodhur në Kuvend, ku Shehaj mori kopjen fizike të dokumentit të klasifikuar që lidhet me marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për modernizimin e Forcave të Armatosura.

Në shkresën e depozituar, Partia Socialiste pretendon se deputeti nuk respektoi procedurat për administrimin e dokumentit të klasifikuar, e mori atë me forcë dhe u largua nga ambientet e Kuvendit. Gjatë incidentit, sipas mazhorancës, një punonjëse e administratës parlamentare u rrëzua teksa përpiqej të ndalonte largimin e tij.

PS argumenton se veprimet e Shehajt mund të përbëjnë disa vepra penale, përfshirë përvetësimin e paligjshëm të informacionit të klasifikuar, grabitjen, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe cenimin e sigurisë kombëtare. Për këtë arsye, mazhoranca kërkon që çështja të hetohet nga SPAK.

Ndërkohë, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën pritet të shqyrtojë kërkesën dhe materialet filmike të incidentit për të vendosur mbi masat disiplinore ndaj deputetit.