Zjarret në Francë/ Macron: Është kriza më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca po përballet me situatën më të rëndë të zjarreve që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë një vizite në Qendrën e Operacioneve të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Bordo, në rajonin Gironde, një nga zonat më të goditura nga flakët, kreu i shtetit falënderoi ekipet e emergjencës dhe vendet që kanë ofruar mbështetje në përballimin e krizës.

Macron e cilësoi situatën si të paprecedentë, duke theksuar se kushtet ekstreme klimatike dhe thatësira e zgjatur e javëve të fundit kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në të gjithë vendin.

Presidenti francez paralajmëroi se javët në vijim pritet të jenë po aq sfiduese, duke bërë thirrje për vigjilencë, reagim të shpejtë dhe këmbëngulje në përballimin e emergjencës. Sipas tij, vetëm një angazhim i vazhdueshëm mund të ndihmojë në kufizimin e pasojave të kësaj krize të rëndë natyrore.