Shehaj “rrëmbeu” projekt-marrëveshjen konfidenciale me SHBA – Reagon Rama: Uroj që Prokuroria t’i tregojë vendin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Kuvend, ku deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori një dokument të klasifikuar që lidhej me marrëveshjen ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e akuzoi Shehajn për grabitje të një dokumenti të klasifikuar dhe përdori një gjuhë të ashpër ndaj tij, duke e krahasuar me “ballistët që hynin në kotec për të grabitur pula”. Sipas kryeministrit, veprimi i deputetit përbën një shkelje të rëndë dhe duhet të marrë përgjigjen e duhur nga organet e drejtësisë.

Në reagimin e tij, Rama shprehu gjithashtu keqardhje për punonjësen e Kuvendit, e cila u përpoq të ndalonte Shehajn dhe u rrëzua gjatë ndjekjes, duke falënderuar Zotin që, sipas tij, ajo nuk pësoi lëndime serioze.

Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë sipas ligjit ndaj deputetit, duke theksuar se pret që autoritetet të trajtojnë rastin si çdo shkelje tjetër që lidhet me dokumente të klasifikuara.