Kalimi i Shqipërisë në euro pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian pritet të sjellë përfitime të rëndësishme për ekonominë e vendit. Kjo parashikohet në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili është hedhur për konsultim publik dhe, për herë të parë, përcakton rregullat për zëvendësimin e lekut me euron pas anëtarësimit në BE.
Sipas ekonomistit Gentian Beqiri, adoptimi i euros do të eliminojë rrezikun nga luhatjet e kursit të këmbimit, do të ulë kostot e transaksioneve dhe do t’i krijojë Shqipërisë mundësinë të përfitojë nga normat më të ulëta të interesit, ashtu si vendet e eurozonës.
Eksperti thekson se anëtarësimi në eurozonë dhe përfshirja në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore do të forcojnë stabilitetin financiar dhe do ta integrojnë Shqipërinë në një treg më të madh ekonomik, duke rritur sigurinë për bizneset dhe investitorët.
Një tjetër përfitim, sipas Beqirit, është ndarja më e qartë e përgjegjësive mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë në hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
SIN
Projektligji parashikon gjithashtu rritjen e kapitalit të Bankës së Shqipërisë nga 2.5 në 6 miliardë lekë dhe rritjen e Rezervës së Përgjithshme nga 12.5 në 30 miliardë lekë, si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.









