Seanca parlamentare e kësaj të enjteje nuk pritet të shënojë mbylljen e sesionit parlamentar, pasi deputetët do të rikthehen sërish në fund të muajit për të vijuar punën në Kuvend.
Sipas burimeve, mazhoranca u ka kërkuar deputetëve socialistë të mos largohen, pasi më 30 korrik është parashikuar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku do të shqyrtohen dy projektligje të rëndësishme, ai për arkivat dhe projektligji për të drejtën e autorit.
Ndërkohë, në seancën plenare të së enjtes pritet të diskutohen disa projektligje dhe projektrezoluta, si edhe të zhvillohen tre përballje mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, të kërkuara nga deputetët opozitarë.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
Po ashtu, ministri Karakaçi do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve Bujar Leskaj dhe Erald Kapri, në dy seanca të veçanta pyetje-përgjigje.
Kështu, ndryshe nga sa ishte parashikuar fillimisht, Kuvendi nuk do të mbyllë aktivitetin me seancën e kësaj jave, pasi deputetët do të mblidhen sërish më 30 korrik për të vijuar shqyrtimin e çështjeve në axhendën parlamentare.









