Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka mbështetur aksionin e intensifikuar të Policisë Rrugore kundër automjeteve me xhama të errësuar jashtë standardeve ligjore, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë për shkelësit.
Përmes një reagimi publik, Lamallari u shpreh se përdorimi i xhamave të zinj pa autorizimin përkatës cenon sigurinë rrugore dhe pengon transparencën gjatë kontrolleve policore. Ai theksoi se të gjitha automjetet që rezultojnë në shkelje do t’u hiqen menjëherë filmat e errët dhe drejtuesit do të përballen me masat e parashikuara nga ligji.
Ministri nënvizoi se rrugët janë hapësira publike ku rregullat duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, duke shtuar se askush nuk mund të përfitojë privilegje apo të fshihet pas xhamave të errësuar.
Sipas të dhënave të Policisë Rrugore, kontrollet janë shtuar në të gjitha akset kombëtare dhe urbane të vendit. Gjatë dy javëve të fundit janë konstatuar dhe penalizuar mbi 500 drejtues automjetesh që qarkullonin me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin.
Operacioni do të vijojë në të gjithë vendin, me fokus identifikimin e automjeteve me xhama të zinj të pacertifikuar, heqjen e tyre në vend dhe vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.









