Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të ndërmarrë një sulm ndaj një prej objekteve më të rëndësishme bërthamore të Iranit.
Trump deklaroi se kompleksi nëntokësor i njohur si Mali Kazëm, pranë Natanzit në Iranin qendror, do të “goditet shumë shpejt dhe shumë rëndë”.
Objekti i fortifikuar, i ndërtuar nën tokë, iu raportua Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në vitin 2020 si një strukturë e planifikuar për instalimin e centrifugave që përdoren për prodhimin e karburantit bërthamor.
I pyetur nëse Irani ka zhvendosur centrifuga bërthamore në këtë zonë, Trump tha se SHBA-ja nuk ka të dhëna të konfirmuara për një lëvizje të tillë.
“Nuk ka rëndësi nëse ato nuk kanë materialin. Ne po ndjekim materialin, aty është thelbi i çështjes”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se vendimi për të bërë publik paralajmërimin lidhet me bindjen se Irani nuk ka mundësi të reagojë ndaj një operacioni të tillë.
“Normalisht nuk do ta thoja këtë. Nëse do të mendoja se ata mund të bënin diçka për ta ndaluar, nuk do ta përmendja kurrë. Por ne do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë”, u shpreh ai.
Kjo nuk është hera e parë që Trump përmend mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj këtij objekti. Javën e kaluar ai deklaroi se SHBA-ja “ndoshta do ta provojë Pickaxe-n relativisht shpejt”.
Ndërkohë, sipas raportimeve të CNN, Izraeli dyshon se Irani mund të ketë zhvendosur centrifuga të avancuara dhe një pjesë të rezervave të uraniumit të pasuruar në këtë objekt pas konfliktit 12-ditor të qershorit.









