Gjyqtari i njohur anglez Anthony Taylor ka vendosur të mbyllë karrierën e tij në arbitrim në moshën 47-vjeçare, pas një periudhe të gjatë në nivelet më të larta të futbollit.
Taylor ka bërë të ditur se presioni i madh dhe përgjegjësia e vazhdueshme e këtij profesioni e kanë shtyrë të marrë vendimin për t’u tërhequr.
“Presioni është i madh dhe përgjegjësia po ashtu. Ka ardhur koha të largohem”, është shprehur arbitri anglez.
Ndeshja e fundit e tij ishte ajo mes Spanjës dhe Portugalisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, e përfunduar me fitoren 1-0 të spanjollëve më 6 korrik.
Taylor e nisi rrugëtimin profesional në një mënyrë të pazakontë, duke punuar fillimisht si roje burgu, përpara se të bëhej arbitër profesionist dhe të ngjitej në Premier League në vitin 2010.
Gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, ai ka drejtuar 831 ndeshje, përfshirë 432 sfida në elitën e futbollit anglez, si dhe finale të rëndësishme të kupave vendase.
Për 14 vite ishte pjesë e listës së arbitrave të FIFA-s, ku drejtoi 163 ndeshje ndërkombëtare dhe mori pjesë në dy Kampionate Evropiane dhe dy Botërorë.
Anthony Taylor ka lënë gjurmë edhe në futbollin shqiptar. Ai ishte arbitri kryesor në finalen e titullit kampion të Shqipërisë më 26 maj 2024, mes Partizanit dhe Egnatias, takim që u fitua nga skuadra rrogozhinase.










