Momente paniku në SHBA – një avion mallrash prek pistën me bisht dhe lëshon shkëndija

Një incident ajror ka shkaktuar alarm në Aeroportin Ndërkombëtar të Cincinnati/Northern Kentucky në SHBA, pasi një avion mallrash Boeing 777-300ER preku pistën me bisht gjatë një tentative uljeje, duke prodhuar shkëndija.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), ngjarja ndodhi të dielën, kur avioni i kompanisë Kalitta Air, i angazhuar në fluturimin 264 nga Brukseli, nuk arriti të përfundonte me sukses manovrën e parë të uljes. Gjatë afrimit, pjesa e pasme e avionit u fërkua me pistën, duke shkaktuar shkëndija, ndërsa piloti vendosi të ndërpriste uljen dhe të ngrihej sërish në ajër për një tentativë të dytë.

Pamjet e publikuara nga Fox19 kapin momentin kur bishti i avionit prek asfaltin e pistës, ndërsa dëgjohen reagimet e personave që po ndiqnin uljen.

Pas manovrës së dytë, avioni u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 20:15 sipas kohës lokale. Menaxheri i operacioneve të Kalitta Air, Heath Nichol, konfirmoi se asnjë pjesëtar i ekuipazhit nuk u lëndua dhe se mjeti fluturues u dërgua menjëherë për inspektim teknik.

Administrata Federale e Aviacionit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij incidenti.