Mirlind Daku në shënjestrën e CSKA Moskës – klubi rus gati të paguajë klauzolën

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, mund të jetë protagonist i një transferimi të rëndësishëm gjatë kësaj vere në futbollin rus.

Sipas raportimeve të mediave në Rusi, CSKA Moska ka shfaqur interes konkret për 28-vjeçarin dhe është e gatshme të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 10 milionë eurosh për ta transferuar nga Rubin Kazani.

Megjithatë, bisedimet nuk kanë arritur ende në fazën përfundimtare. Burimet bëjnë të ditur se klubet nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët, ndërsa edhe kushtet personale mes Dakut dhe CSKA Moskës mbeten të paharmonizuara.

Nga ana tjetër, agjencia që menaxhon sulmuesin shqiptar ka konfirmuar se interesimi për të nuk kufizohet vetëm te CSKA Moska, pasi edhe skuadra të tjera po monitorojnë situatën e tij.

“Në këtë moment ka disa klube të interesuara për Dakun, por ai është plotësisht i përqendruar te Rubin Kazani në nisje të sezonit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë deri në mbyllje të merkatos”, është shprehur agjencia që e përfaqëson lojtarin.

Sipas të njëjtave raportime, CSKA Moska i ka ofruar Dakut një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, në përpjekje për ta bindur të transferohet në kryeqytetin rus.

Mirlind Daku është pjesë e Rubin Kazanit që nga vera e vitit 2023, kur u transferua nga Osijeku për 1.2 milionë euro. Sulmuesi shqiptar ka kontratë me klubin rus deri në verën e vitit 2029 dhe konsiderohet një nga lojtarët kyç të skuadrës.