Franca dhe Gjermania kanë rikonfirmuar angazhimin për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, në një kohë kur Evropa po kërkon të rrisë autonominë e saj ushtarake dhe të përballet me sfidat ekonomike e gjeopolitike në rritje.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz u takuan të premten në kuadër të mbledhjes së përbashkët të kabineteve qeveritare, duke lënë pas mosmarrëveshjet e muajve të fundit lidhur me projektin e përbashkët për zhvillimin e një avioni luftarak të gjeneratës së re.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merz theksoi se Berlini dhe Parisi do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e sistemeve të mbrojtjes nga raketat dhe armëve me rreze të gjatë veprimi.
“Po bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur lirinë, sigurinë dhe mbrojtjen tonë kolektive”, deklaroi kancelari gjerman.
Dy liderët shprehën gjithashtu shqetësimin për politikat ekonomike të Kinës, duke e akuzuar Pekinin për konkurrencë të padrejtë përmes subvencioneve masive shtetërore, mbikapacitetit industrial dhe një monedhe të nënvlerësuar.
Merz tha se Evropa nuk synon një përplasje tregtare me Kinën, por kërkon dialog për të adresuar praktikat që, sipas tij, po dëmtojnë industrinë dhe vendet e punës në kontinent.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e parandalimit bërthamor. Për herë të parë, ushtarë gjermanë do të marrin pjesë në një stërvitje bërthamore të organizuar nga Franca, një sinjal i qartë i afrimit strategjik mes dy vendeve në kushtet kur Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar një reduktim të angazhimit të tyre ushtarak në Evropë.
Gjatë vizitës, Macron dhe Merz inspektuan një bazë ajrore ku një avion luftarak francez Rafale, me kapacitet bërthamor, u furnizua me karburant së bashku me një Eurofighter gjerman, duke simbolizuar bashkëpunimin në rritje mes dy forcave ajrore.
Presidenti francez sqaroi se programi bërthamor i Francës do të vazhdojë të financohet ekskluzivisht nga Parisi.
“Financimi i forcës sonë bërthamore do të mbetet gjithmonë përgjegjësi e Francës”, deklaroi Macron, duke përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes financiare të Gjermanisë në këtë program.









