Messi një hap larg “Këpucës së Artë” – Rregulli i FIFA-s e vendos para Mbappes edhe pa shënuar gol

Lionel Messi ka marrë kryesimin në garën për fitimin e “Këpucës së Artë” të Kupës së Botës 2026, edhe pse nuk arriti të shënojë në gjysmëfinalen mes Argjentinës dhe Anglisë. Kapiteni i Argjentinës përfitoi nga rregullorja e FIFA-s, e cila përcakton kriteret në rast se dy futbollistë e mbyllin turneun me të njëjtin numër golash.

Në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta, Argjentina fitoi 2-1 ndaj Anglisë, duke siguruar një vend në finalen e Botërorit. Skuadra angleze kaloi e para në avantazh me golin e Anthony Gordon, por Argjentina reagoi në fundin e kohës së rregullt. Enzo Fernández barazoi rezultatin, ndërsa Lautaro Martínez shënoi golin e fitores në minutat shtesë.

Edhe pse nuk gjeti rrugën e rrjetës, Messi ishte vendimtar në suksesin e Argjentinës. Ai dha asist në të dy golat e skuadrës së tij, duke e çuar në katër numrin total të asistimeve në këtë Botëror.

Falë këtyre asistimeve, Messi ka kaluar Kylian Mbappen në renditjen për “Këpucën e Artë”. Të dy futbollistët kanë shënuar nga tetë gola, por sipas rregullores së FIFA-s, në rast barazie në numrin e golave, kriteri i parë që përcakton fituesin është numri i asistimeve.

Aktualisht, Messi numëron katër asistime, ndërsa Mbappe ka regjistruar tre. Kjo i jep avantazh kapitenit argjentinas në prag të finales së Kupës së Botës.

Nëse edhe asistimet do të rezultonin të barabarta, FIFA parashikon një kriter tjetër. Fitues shpallet lojtari që ka zhvilluar më pak minuta gjatë turneut.

Në moshën 39-vjeçare, Messi do të udhëheqë Argjentinën në finalen e tretë të Kupës së Botës në karrierën e tij. Ai synon jo vetëm të mbrojë titullin botëror të fituar nga Argjentina, por edhe të fitojë për herë të parë “Këpucën e Artë” të këtij kompeticioni.

Argjentina do të përballet me Spanjën në finalen e së dielës, në një sfidë ku Messi ka mundësinë të shtojë numrin e golave ose asistimeve dhe të vulosë fitimin e çmimit për golashënuesin më të mirë të Botërorit 2026.