Puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të shtyhet deri në nëntor të këtij viti. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë procesit, ndërsa shtyrja e afatit ishte paralajmëruar edhe më herët nga përfaqësues të shumicës parlamentare.
Komisioni, i ngritur për të shqyrtuar ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, nuk ka arritur ende të përmbyllë diskutimet mes palëve politike për çështjet kryesore të reformës.
Deputeti socialist Damian Gjiknuri kishte deklaruar më herët në Kuvend se procesi po përballej me vështirësi në arritjen e një dakordësie dhe se ishte e mundur që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2027 të zhvilloheshin edhe me Kodin Zgjedhor aktual.
Shtyrja e punës së Komisionit lidhet me nevojën për më shumë kohë për negociatat mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me financimin e partive politike, rregullat zgjedhore dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore pritet të vijojë punën gjatë muajve në vijim me synimin për të hartuar ndryshimet ligjore që do t’i paraprijnë procesit të ardhshëm zgjedhor.









