Ferdinand dhe Terry lavdërojnë Bellinghamin: Është lideri që mund ta çojë Anglinë drejt lavdisë

Jude Bellingham vijon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa legjendat e futbollit anglez nuk kursejnë elozhet për mesfushorin e Real Madridit. Rio Ferdinand dhe John Terry e shohin 22-vjeçarin si figurën kyçe të Anglisë dhe besojnë se ai ka cilësitë për ta udhëhequr kombëtaren drejt suksesit.

Rio Ferdinand e cilësoi Bellinghamin si futbollistin më të mirë anglez në turnetë madhorë që nga triumfi i vitit 1966, duke vlerësuar ndikimin e tij në ndeshjet më të rëndësishme.

“Jude Bellingham është futbollisti më i mirë anglez në historinë e turneve madhorë që nga viti 1966. E them me bindje të plotë”, deklaroi ish-mbrojtësi i Manchester United.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe John Terry, i cili e krahasoi yllin anglez me Zinedine Zidane. Sipas ish-kapitenit të Chelseat, Bellingham po dëshmon personalitet, qetësi dhe aftësi për të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare.

“E kam thënë që në fillim të këtij Botërori, ai më kujton Zidanin. Po e merr mbi supe këtë skuadër. Është një lojtar i klasit botëror dhe ka një qetësi të jashtëzakonshme”, tha Terry.

Fjalëve të tyre iu bashkua edhe ish-kampioni i botës me Brazilin, Gilberto Silva, i cili e konsideroi të justifikuar krahasimin me legjendën franceze.

“Në ndeshjet e mëdha ke nevojë për lojtarët më të mirë dhe Bellingham e ka treguar këtë vazhdimisht. Ai ka ende shumë për të dhënë dhe ngjan me Zidane në mënyrën se si ndikon në lojë”, u shpreh Gilberto Silva.

Në përfundim, Terry tregoi besim të plotë te kombëtarja angleze, duke theksuar se nuk e konsideron Argjentinën një skuadër superiore.

“Nuk shqetësohem për Argjentinën. Mendoj se jemi skuadër më e mirë se ata. Kam ndjesinë se gjithçka po shkon në favorin tonë dhe besoj se ka ardhur koha e Anglisë për të fituar Botërorin”, përfundoi ai.