Një ngjarje tragjike ka tronditur mesditën e së shtunës fshatin Orizaj, në Bashkinë e Beratit, ku një 15-vjeçar humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e lumit teksa kishte hyrë për t’u freskuar.
Sipas informacioneve paraprake, adoleshenti kishte qenë duke punuar në arë së bashku me babanë e tij. Pas përfundimit të punës, ai ka hyrë në lumë për t’u larë, por është rrëmbyer nga rrjedha e ujit dhe është tërhequr disa metra më poshtë.
Babai i të miturit ka hyrë menjëherë në ujë në përpjekje për t’i ardhur në ndihmë. Ai ka arritur ta nxjerrë djalin në breg, por fatkeqësisht 15-vjeçari nuk shfaqte më shenja jete.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve, mjekët konstatuan vdekjen e të miturit, ndërsa trupi u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Grupi hetimor ka nisur veprimet procedurale dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një mbytje aksidentale, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rastin.









