Argjentina ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Zvicrën me rezultatin 3-1 pas kohës shtesë, në një ndeshje dramatike që u vendos vetëm në minutat e fundit.
Kampionët në fuqi e nisën më mirë takimin dhe kaluan në avantazh falë golit të Alexis Mac Allister. Megjithatë, Zvicra reagoi shpejt dhe riktheu ekuilibrin me Dan Ndoye, duke e mbajtur të hapur sfidën deri në fund të kohës së rregullt.
Edhe pse zviceranët mbetën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Breel Embolo, ata rezistuan me disiplinë dhe krijuan vështirësi për skuadrën e Lionel Scalonit, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë.
Epërsia numerike e Argjentinës u bë vendimtare në minutën e 112-të, kur Julian Alvarez realizoi një gol spektakolar për t’i dhënë avantazhin bardhekaltërve. Në sekondat e fundit të sfidës, Lautaro Martinez shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës dhe vulosi fitoren 3-1 në minutën e 122-të.
Me këtë sukses, Argjentina siguron një vend mes katër skuadrave më të mira të Botërorit 2026 dhe tashmë e pret një supersfidë në gjysmëfinale, ku do të përballet me Anglinë në një duel që premton spektakël dhe emocione deri në fund.









