“Jam në listën e tyre prej shumë kohësh” – Trump paralajmëron Iranin: “Nëse më vrisni, do të bombardoheni si kurrë më parë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se ka lënë udhëzime të qarta për mënyrën se si duhet të reagojë Uashingtoni në rast se ai bëhet objekt i një atentati të organizuar nga Teherani.

Në një intervistë për New York Post, Trump tha se prej kohësh ndodhet në shënjestër të autoriteteve iraniane dhe se administrata amerikane është përgatitur për një përgjigje të menjëhershme nëse një skenar i tillë do të realizohej.

“Jam në listën e tyre prej shumë kohësh. Kjo është ajo me të cilën përballemi”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump shtoi se ka lënë urdhra të qartë për një kundërpërgjigje ushtarake në rast të eliminimit të tij.

“Nëse ndodh diçka, kam lënë urdhra që t’i bombardojnë, fjalë për fjalë, në një nivel që nuk e kanë parë kurrë më parë”, deklaroi ai.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një klimë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, si dhe pas raportimeve se Mossad i ka përcjellë autoriteteve amerikane informacione të inteligjencës mbi një plan të dyshuar iranian për atentat ndaj Trump.

Sipas një raporti të publikuar nga The Wall Street Journal, shërbimet izraelite kanë ndarë me partnerët amerikanë të dhëna që lidhen me një kërcënim të mundshëm ndaj presidentit amerikan.

Megjithatë, Trump la të kuptohet se nuk e konsideron këtë një zhvillim të ri, duke pretenduar se Irani ka synuar eliminimin e tij prej vitesh dhe se kërcënimet ndaj tij kanë qenë të vazhdueshme.