Meta ndryshon mbrojtjen në mes të procesit – Pas “divorcit” me Cakranin, Bujar Musta do jetë avokati i 3-të i pajtuar prej tij

Ilir Meta do të përfaqësohet nga një avokat i ri në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ai dhe Monika Kryemadhi përballen me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas burimeve për mediat, mbrojtjen e Metës do ta marrë përsipër avokati Bujar Musta, ish-gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, emri i të cilit është bërë i njohur edhe për procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Musta u shkarkua nga detyra në vitin 2021 me vendim të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi u konstatuan probleme në kriteret e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.

Ndryshimi i mbrojtjes vjen pak ditë pasi avokati Kujtim Cakrani njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me Ilir Metën. Përmes “Studio Ligjore Cakrani”, ai bëri të ditur se marrëdhënia profesionale përfundoi për shkak të mungesës së besimit reciprok mes palëve.

Në njoftim thuhej gjithashtu se Meta i kishte kërkuar ish-avokatit të dorëzonte të gjithë dokumentacionin dhe punën e kryer deri tani te Tedi Blushi, ndërsa për çështjet financiare t’i drejtohej motrës së tij.

Me angazhimin e Bujar Mustës, pritet që mbrojtja e Metës të paraqitet me një strategji të re në seancat e ardhshme të procesit në GJKKO, ku ish-presidenti dhe Kryemadhi vijojnë të përballen me akuzat e ngritura nga organi i akuzës.