Edhe pse vera konsiderohet periudha me prodhimin më të lartë bujqësor në vend, çmimet e perimeve kanë njohur një rritje të fortë, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve shqiptare.
Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) për inflacionin, grupi i produkteve “Perime, zarzavate dhe bishtajore” është shtrenjtuar me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është gati trefishi i inflacionit mesatar të produkteve ushqimore, i cili rezultoi rreth 3%.
Rritja e çmimeve konsiderohet e pazakontë, pasi muaji qershor përkon me kulmin e prodhimit vendas të shumë kulturave bujqësore. Në kushte normale, shtimi i ofertës në treg do të duhej të sillte ulje të çmimeve, por këtë vit ka ndodhur e kundërta, me konsumatorët që po paguajnë më shumë për produktet bazë të shportës ushqimore.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me disa faktorë njëherazi. Rritja e kostove të prodhimit, çmimet më të larta të transportit, kërkesa e shtuar gjatë sezonit turistik dhe orientimi i një pjese të prodhimit drejt eksporteve kanë ndikuar në uljen e sasive të disponueshme për tregun vendas, duke ushtruar presion mbi çmimet.
Pas peshkut dhe produkteve të detit, të cilat u shtrenjtuan me 9%, perimet rezultojnë grupi me rritjen më të lartë të çmimeve gjatë muajit qershor.
Edhe produktet e tjera ushqimore kanë shënuar rritje. Çmimet e mishit janë rritur me 4.2%, ndërsa qumështi, nënproduktet e bulmetit dhe vezët janë shtrenjtuar me 2.4%.
Rritje kanë pësuar edhe sheqeri, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë, me 2.5%, ndërsa vajrat dhe yndyrat janë shtrenjtuar me 1.7%. Më e ulët ka qenë rritja e çmimeve për drithërat dhe produktet me bazë drithërash, të cilat janë rritur me vetëm 0.9%.
Në kontrast me këtë prirje, frutat e freskëta dhe ato të thata rezultojnë i vetmi grup ushqimor që ka shënuar ulje çmimesh, me 2.8% më pak krahasuar me një vit më parë.
Sipas specialistëve, gjatë muajve të verës kërkesa për produkte të freskëta rritet ndjeshëm për shkak të aktivitetit të hoteleve, restoranteve dhe sektorit të turizmit, veçanërisht në zonat bregdetare. Paralelisht, eksportet drejt tregjeve të huaja, ku çmimet janë më të favorshme, kufizojnë ofertën në tregun vendas.
Ndikim kanë edhe produktet e importuara, të cilat përfshihen në grupin statistikor të perimeve dhe nuk ndjekin të njëjtën ecuri sezonale si prodhimi vendas.
Të dhënat tregojnë se presioni mbi koston e jetesës vazhdon të mbetet i lartë, ndërsa shporta ushqimore e familjeve shqiptare po rëndohet nga rritja e çmimeve të produkteve bazë, pavarësisht sezonit të bollshëm të prodhimit bujqësor.









