Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi Uashingtoni ndërmori një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave strategjikë në jug të Iranit dhe në zonat pranë Ngushticës së Hormuzit. Operacioni ushtarak u zhvillua vetëm një ditë pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në këtë korridor detar, për të cilat SHBA fajëson drejtpërdrejt Teheranin.
Menjëherë pas bombardimeve, autoritetet iraniane aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore dhe paralajmëruan se përgjigjja ndaj asaj që e cilësuan si agresion amerikan do të jetë e ashpër.
Në të njëjtën kohë, sulmet iraniane u shtrinë edhe ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, duke zgjeruar më tej përmasat e konfliktit dhe duke rritur frikën për një përplasje të hapur në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan Donald Trump publikoi në rrjetin e tij social Truth Social pamje nga operacionet ushtarake amerikane, duke deklaruar se bombardimet ishin një përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
“Kjo është hakmarrje për bombardimin e anijeve nga Irani. Nëse kjo ndodh përsëri, situata do të bëhet edhe më e rëndë”, shkroi Trump.
Më vonë, gjatë një deklarate nga bordi i avionit presidencial Air Force One, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Irani ka pësuar goditje të rënda dhe se dëshiron të rikthehet në negociata, por shtoi se nuk ka besim se Teherani do të respektojë ndonjë marrëveshje të re.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, akuzoi Shtetet e Bashkuara për shkeljen e Marrëveshjes së Islamabadit, e nënshkruar mes dy vendeve vetëm pak javë më parë.
Sipas tij, Uashingtoni ka shkelur nenin 5 të memorandumit, i cili përcakton përgjegjësinë e Iranit për garantimin e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.
“Republika Islamike do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe interesat e saj kombëtare”, deklaroi Baqaei, duke paralajmëruar se Teherani nuk do të tërhiqet përballë presionit ushtarak.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi revokimin e licencës së përkohshme që lejonte prodhimin, shitjen dhe eksportin e naftës iraniane, një masë që pritet të rëndojë edhe më tej ekonominë e vendit.
Reagim të fortë pati edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili paralajmëroi pasoja të rënda për Shtetet e Bashkuara.
“Amerika ende nuk e ka kuptuar se arroganca dhe mungesa e besnikërisë nuk janë më pa kosto. Ta kenë të qartë: nëse na provokojnë sërish, do të përballen me pasojat. Ngushtica e Hormuzit nuk hapet me kërcënime amerikane, por vetëm përmes marrëveshjeve me Iranin”, deklaroi ai.
Përshkallëzimi i fundit ka shtuar ndjeshëm shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për sigurinë në Gjirin Persik. Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës dhe gazit, mbetet një pikë kyçe për ekonominë globale, ndërsa çdo konflikt në këtë zonë mund të shkaktojë luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Analistët paralajmërojnë se shkëmbimi i sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit mund ta çojë rajonin drejt një konflikti të gjerë ushtarak, me pasoja që do të shtrihen shumë përtej Lindjes së Mesme.









