Ndeshja mes Portugalisë dhe Kroacisë vazhdon të jetë në qendër të debatit pas anulimit të golit të kroatëve në minutat e fundit, një vendim që ndikoi drejtpërdrejt në kualifikimin e skuadrës së Cristiano Ronaldos në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës.
Vendimi u mor pas ndërhyrjes së teknologjisë së pozicionit jashtë loje. FIFA sqaroi se sistemi kishte evidentuar një prekje të topit nga Igor Matanoviç, çka bëri që lojtari i pozicionuar më pas në vijë jashtë loje të konsiderohej aktiv në aksion.

Megjithatë, pamjet televizive kanë ngritur pikëpyetje të shumta. Sipas shumë analistëve, kontakti i vetëm i mundshëm duket të ketë qenë me flokët e sulmuesit kroat, pa pasur një devijim të dukshëm të trajektores së topit.
Kjo ka rikthyer në vëmendje edhe vetë rregulloren e FIFA-s, e cila përcakton qartë se flokët konsiderohen pjesë e trupit vetëm në raste shumë specifike.
“Flokët konsiderohen pjesë e trupit vetëm nëse ndikojnë në lëvizjen ose trajektoren e topit. Kjo ka gjasa të ndodhë vetëm në raste kur topi bie në kontakt të konsiderueshëm me një masë flokësh, siç është, për shembull, një topuz i lidhur në majë të kokës”, thuhet në rregulloren e FIFA-s.
Duke u bazuar në këtë interpretim, polemikat janë shtuar edhe më shumë. Nëse kontakti nuk ka ndryshuar trajektoren e topit, shumë ekspertë argumentojnë se ai nuk duhej të merrej në konsideratë për vendimin e pozicionit jashtë loje.
Rasti ka ndezur diskutime të forta në rrjetet sociale dhe në mediat sportive, me shumë tifozë dhe analistë që kërkojnë një shpjegim më të detajuar nga FIFA mbi mënyrën se si funksionoi teknologjia në këtë episod.
Pamjet e rastit vijojnë të jenë objekt diskutimi, ndërsa vendimi i VAR-it mbetet një nga momentet më të debatueshme të këtij Botërori.









