Shqiptarët punojnë më shumë se çdo europian! Eurostat: Java e punës në Shqipëri tejkalon me gati 7 orë mesataren e BE-së

Punonjësit në Shqipëri vijojnë të kryesojnë në Evropë për numrin e orëve të punës në javë. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, mesatarja e javës së punës në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2025 ishte 35.9 orë, ndërsa në Shqipëri, sipas statistikave të INSTAT, punonjësit punojnë mesatarisht 42.6 orë në javë, ose 6.7 orë më shumë se mesatarja evropiane.

Brenda Bashkimit Evropian, vendi me javën më të gjatë të punës është Greqia, ku punonjësit punojnë mesatarisht 39.6 orë në javë. Pas saj renditen Bullgaria dhe Polonia me nga 38.7 orë, ndërsa Lituania regjistron një mesatare prej 38.4 orësh. Megjithatë, asnjë prej këtyre vendeve nuk arrin nivelin e regjistruar në Shqipëri.

Në anën tjetër të renditjes qëndron Holanda, ku java mesatare e punës është vetëm 31.9 orë. Pas saj vijnë Danimarka dhe Gjermania me nga 33.9 orë, ndërsa Austria me 34 orë në javë. Diferenca mes Shqipërisë dhe Holandës arrin në mbi 10 orë pune në javë.

Të dhënat tregojnë se punonjësit shqiptarë kalojnë ndjeshëm më shumë kohë në vendin e punës krahasuar me shumicën e vendeve evropiane, edhe pse Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian.

Statistikat e Eurostat tregojnë gjithashtu se mesatarja e javës së punës në Bashkimin Evropian ka ardhur në rënie gjatë dekadës së fundit, duke zbritur nga 36.9 orë në vitin 2015 në 35.9 orë në vitin 2025, çka pasqyron tendencën drejt një balancimi më të madh mes jetës profesionale dhe asaj personale në vendet anëtare.