“Balluku, AKSHI dhe Qeveri Teknike” – Berisha: Raporti i PPE “zbardh të vërtetat e hidhura për Shqipërinë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (PPE) ka miratuar një raport pas misionit faktmbledhës të dërguar më herët në Shqipëri, i përbërë nga 27 anëtarë.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se në këtë dokument, sipas tij, pasqyrohen “të vërtetat e hidhura për Shqipërinë”, duke ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve të vendit.

Ai përmendi ndër të tjera çështjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK, si dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në çështje të ndryshme hetimore.

Sipas Berishës, raporti i PPE ndalet gjithashtu edhe te Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj akuzohet për përfshirje në një strukturë të organizuar kriminale, së bashku me persona të tjerë të hetuar nga drejtësia.

Kreu i opozitës shtoi se në dokument përmenden edhe koncesionet, partneritetet publike-private dhe prokurimet publike, të cilat sipas tij karakterizohen nga mungesa e garës dhe përqendrimi i vendimmarrjes.

“Gjithçka është e përqendruar në duart e Edi Ramës. Raporti ndalet në dosjen Balluku, në AKSHI, në koncesione dhe në mënyrën e funksionimit të prokurimeve publike,” deklaroi Berisha.

Ai theksoi gjithashtu se, sipas tij, raporti i PPE sugjeron krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke e konsideruar këtë një rekomandim të rëndësishëm nga një organizatë me peshë në politikën evropiane.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Për Shqipërinë, asambleja miratoi raportin e misionit faktmbledhës që dërgoi, të përbërë nga 27 anëtarë, në datën 26-27 shkurt të vitit 2026. Dhe po për Shqipërinë, asambleja miratoi një rezolutë të veçantë kushtuar Shqipërisë dhe gjendjes në Shqipëri. Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të pakufishme për drejtuesit e PPE, presidentin Veber, sekretaren e përgjithshme Monstserrat, të gjithë ata që erdhën në misionin faktmbledhës për raportin e jashtëzakonshëm që ata publikuan dhe miratuan dje në asamblenë politike të PPE.

Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin. Kurrë ndonjëherë në ndonjë raport ndërkombëtar, të vërtetat e hidhura të Shqipërisë nuk kanë dalë aq qartë sa në këtë raport.

Raporti ka një bosht, dhe mund t’u them se boshti i tij është kapja e shtetit. Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale. Shqipëria sipas raportit, i cili citon V-Dem, thotë se ka deficite të thella, të mëdha në parimet themelore të procesit zgjedhor.

Shqipëria, sipas raportit, ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. Ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake.

Shqipëria pra është vendi në të cilin narkoeurot janë shndërruar në një faktor që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. Vendi në të cilin gara nuk ekziston ose është krejt fiktive. Makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës. Vendi në të cilin zyrtarisht mbrohet korrupsioni. Raporti ndalet plotësisht në dosjen Balluku, në qëndrimet e Edi Ramës ndaj kësaj dosje që e implikojnë atë direkt, në sulmet që Edi Rama i bën prokurorisë dhe gjykatës për këtë dosje.

Ndalet tek AKSHI, tek dora e zezë e tij në dosjen e AKSHI-t. Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të. Tek prokurimet publike me klientelë. Edhe këtu, nuk ka garë, nuk ka linjë ndarëse. Gjithçka e përqendruar në duart e Edi Ramës.