Një grup protestuesish është futur në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës, pasi policia hoqi banderolën me mbishkrimin “Ju erdhi fundi”, e cila ishte vendosur më herët nga studentë në godinën e universitetit.
Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, një pjesë e protestuesve u shkëputën nga tubimi që po zhvillohej para Kryeministrisë dhe marshuan drejt Politeknikut, ku hynë në ambientet e institucionit duke kërkuar rikthimin e banderolës së hequr.
Në video shihen gjithashtu disa persona që mbanin flakadanë të ndezur, ndërsa protestuesit brohorisnin në mbështetje të studentëve dhe kërkonin rikthimin e mesazhit të vendosur në fasadën e universitetit.
Ngjarja ka shtuar tensionet mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa situata është monitoruar nga policia. Deri më tani nuk raportohet për incidente të rënda apo persona të lënduar.









