Bilanci i tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën është rënduar ndjeshëm, teksa autoritetet konfirmojnë se numri i viktimave ka arritur në 920, ndërsa 3.360 persona kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë, qindra persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet mes rrënojave në përpjekje për të gjetur të mbijetuar.
Situata mbetet dramatike në veri të vendit, ku dhjetëra ndërtesa janë shembur, përfshirë edhe në kryeqytetin Karakas. Të plagosurit po marrin trajtim në qendra mjekësore të improvizuara, pasi shumë spitale janë dëmtuar ose nuk janë më funksionale për shkak të katastrofës.
Autoritetet venezueliane bëjnë të ditur se në vend kanë mbërritur qindra specialistë ndërkombëtarë të shpëtimit, ndërsa ekipe të tjera janë në rrugë për t’iu bashkuar operacioneve humanitare.
Dy tërmetet e fuqishme goditën Venezuelën të mërkurën, vetëm pak sekonda larg njëri-tjetrit. Lëkundja e dytë, me magnitudë 7.5 ballë, konsiderohet një nga më të fortat që ka goditur vendin në më shumë se një shekull.
Zona më e goditur mbetet shteti La Guaira, pranë kryeqytetit, ku ndodhen edhe një nga portet kryesore të vendit dhe Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar. Pikërisht aty vijojnë kërkimet për dhjetëra persona që dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja.
Mes familjeve që presin me ankth lajme është edhe Natacha Diaz, e cila kërkon dy vajzat e saj, 22 dhe 23 vjeç, të bllokuara nën rrënojat e një qendre tregtare ku punonin si manikyriste.
“Dua vetëm t’i gjejnë. Kam ende shpresë se janë gjallë. Ato janë gjithçka kam”, tha ajo mes lotësh.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, deklaroi se të paktën 172 persona besohet se ndodhen ende nën rrënoja, ndërsa vetëm në La Guaira janë shpëtuar të paktën 243 persona.
Edhe presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, konfirmoi se dhjetëra qytetarë janë nxjerrë gjallë nga rrënojat, duke e cilësuar këtë si një burim shprese në mes të katastrofës. Ajo bëri të ditur gjithashtu se pas tërmeteve janë regjistruar 214 lëkundje pasuese, duke e bërë edhe më të vështirë punën e ekipeve të shpëtimit.
Sipas autoriteteve, qindra ndërtesa, spitale, qendra tregtare dhe objekte të tjera publike janë dëmtuar ose janë shembur plotësisht. Mbi 1.000 struktura infrastrukturore kanë pësuar dëmtime të rënda.
Mjekët në terren paralajmërojnë se sistemi shëndetësor, i cili përballej me mungesa edhe para katastrofës, tashmë ndodhet në prag kolapsi.
“Edhe në kushte normale kishim mungesë ilaçesh dhe furnizimesh. Pas kësaj tragjedie, përballimi i emergjencës është bërë shumë më i vështirë”, deklaroi mjeku Pedro Javier Fernandez.
Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet edhe më tej, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje në zonat më të goditura.









