Katastrofë njerëzore në Venezuelë/ Dy tërmete shkatërruese – Raportime për mijëra viktima

Një situatë alarmante është raportuar në Venezuela, pasi vendi u godit nga dy tërmete shumë të fuqishme brenda më pak se një minute, duke shkaktuar panik masiv, dëme të mëdha materiale dhe frikë për një bilanc tragjik viktimash.

Sipas të dhënave paraprake, lëkundja e parë me magnitudë 7.2 ballë u regjistrua pranë zonës së San Felipe, në shtetin Yaracuy. Vetëm 39 sekonda më vonë, rajoni u godit nga një tjetër tërmet edhe më i fortë, me magnitudë 7.5 ballë, sipas vlerësimeve të publikuara nga United States Geological Survey.

Deri tani autoritetet venezueliane nuk kanë publikuar një bilanc zyrtar të viktimave apo të dëmeve, ndërsa ekipet e emergjencës dhe shërbimet e shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura.

Megjithatë, vlerësimet paraprake të ekspertëve ngjallin shqetësim të madh. Sipas modeleve të riskut të USGS, ekziston një probabilitet i konsiderueshëm që numri i viktimave të jetë shumë i lartë, në varësi të shkallës së dëmeve dhe dendësisë së popullsisë në zonat e prekura.

Lëkundjet janë ndjerë fuqishëm edhe në Caracas, ku raportohen ndërtesa të dëmtuara, ndërprerje të shërbimeve bazë dhe persona të mbetur nën rrënoja. Banorët kanë dalë në rrugë nga frika e shembjeve të tjera, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e pasgoditjeve të forta.

Ministri i Brendshëm i Venezuelës u ka bërë thirrje qytetarëve të evakuojnë ndërtesat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për të nxjerrë të mbijetuarit nga zonat e goditura, ndërsa pritet që në orët dhe ditët e ardhshme të krijohet një panoramë më e qartë mbi përmasat reale të kësaj fatkeqësie natyrore, e cila mund të rezultojë një nga më të rëndat në historinë e fundit të vendit.