“President konsensual jo partiak” – kryedeputetja e LVV, Nagavci: Nuk kapim garanci për koalicione qeverisëse

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të diskutojë seriozisht për zgjedhjen e një presidenti ose presidenteje konsensuale dhe jopartiake, në përpjekje për të tejkaluar ngërçin politik dhe institucional në Kosovë.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Nagavci u shpreh se Vetëvendosje e konsideron të rëndësishëm arritjen e një dakordësie të gjerë politike për kreun e shtetit, duke argumentuar se përvoja e deritanishme ka treguar se kandidatët partiakë jo gjithmonë kanë arritur të luajnë rolin unifikues që kërkon posti i presidentit.

Sipas saj, partia në pushtet është e hapur për të diskutuar emra që mund të gëzojnë mbështetje më të gjerë politike dhe shoqërore, duke theksuar se institucioni i presidentit duhet të shërbejë si faktor bashkues për vendin.

Megjithatë, Nagavci u tregua më e rezervuar sa i takon mundësisë së krijimit të një koalicioni të ri qeverisës me partitë e tjera parlamentare. Ajo deklaroi se në këtë moment nuk mund të japë garanci apo të konfirmojë ndonjë marrëveshje konkrete bashkëpunimi me ndonjë subjekt politik.

Sipas saj, prioriteti aktual mbetet funksionalizimi i institucioneve dhe gjetja e zgjidhjeve që sigurojnë stabilitet politik, ndërsa dialogu me partitë e tjera vazhdon.

“Ne i kemi numrat e nevojshëm për votimin e qeverisë, por nuk mund të them sot se do të qeverisim me një parti tjetër”, deklaroi Nagavci.

Deklaratat e saj vijnë në një moment kur skena politike në Kosovo vazhdon të përballet me negociata dhe diskutime intensive për formimin e institucioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme për postin e presidentit të vendit.